Një libër i vogël për të dashur më shumë veten
- Anxhela Cikopano
- Aug 26, 2020
- 3 min read

Nuk ka shumë që është çelur shekulli i XX. Bota është trazuar, diku po lindin e diku po forcohen vetëdije kombëtare. Fati i vendeve është në udhëkryq. Përjashtim nuk bën as një vend i vogël, që ka ndenjur për shumë kohë nën një perandori të madhe.
Brenda tij ngjishen e shtyhen forca të kundërta. Në një krah luftojnë ata që kërkojnë të mbeten nën hijen e perandorisë së madhe. "Ç'janë këto marri? Ku dimë ne të ecim me këmbët tona? Dihet ç'laro e marrin fuqinë?"
Këta "larot" janë krahu tjetër. Të ethshëm, energjikë, të dhunshëm, me shumë pritshmëri nga e reja aq e bukur në fjalime, po të paditur mbi mjetet e rrethanat, ata luftojnë të çlirohen nga vargonj, pa e ditur se ata që po i ndihmojnë do t'i çojnë në një varësi të re, mizore e kriminale.
Të tretët i dinë mjetet e duhura, ashtu siç dinë, që edhe pse janë po aq të ethshëm sa të dytët, kjo është një rrugë e gjatë e mundimshme, që nuk do t'i sjellë shpejt rezultatet. Dhe këta do të kthehen në shënjestrën e dy palëve të para...
Jo, nuk po flas për Shqipërinë e viteve 1912, që rrekej të shpëtonte nga perandoria otomane, përkundër atyre që nuk besonin te një Shqipëri që ecte me këmbët e saj.
Nuk po flas as për Shqipërinë e vitit 1945, që do të hynte nën perandorinë kriminale të "forcave përparimtare".
Po, edhe intelektualët shqiptarë ishin shënjestra e të dyja palëve, po nuk po flas për Shqipërinë, sado që tingëllon si histori e provuar në lëkurë.
Po flas për vitin 1905, për luftën e pavarësisë së Letonisë, që ngjan aq shumë me përpëlitjet tona për t'u bërë një shtet i pavarur e në rrugë të zhvillimit dhe që ashtu si ne, zhduku elitat e veta atdhetare për të zezë të saj. Osvalds Zebris na e shtrin këtë histori para syve në librin "Nën hijen e Kodrës së gjelave", i nderuar me çmimin e Bashkimit Evropian në vitin 2017. Nga gjithë historitë që përmend, autori nuk ia fal historisë e kombit shfarosjen e brezit të parë të mësuesve letonë, plot 750 intelektualë që u bënë theror i forcave që përplaseshin, por që ishin shpresa më e madhe e vendit. Dhe ai e vë gishtin drejt e në plagë. Jo pa qëllim.
Zebris nuk sjell një libër të thatë historik, por një prerje tërthore të ambicieve e marrëdhënieve njerëzore që çojnë në absurditete të tilla, duke e kthyer këtë libër në një simbol të thyerjes njerëzore përballë fajeve të veta. Po a mos është kjo alegoria e vetë kombit që vuan e do të shpaguajë atë që ka bërë? Dhe ashtu si Rudolfsi, personazhi kryesor, njerëzit përsëri do t'i bëjnë gabimet e vjetra, sapo t'i paraqiten më së pari rrethanat e duhura.
Ashtu siç thotë në libër Made, nëna e Rudolfsit: "Gjithsecili duhet ta fitojë lirinë e vet. Po këto që vijnë vërdallë tani janë veç ëndërritje nëpër erë. Do të kalojnë mbi kokat tona, do të derdhet gjak, do të mbajmë zi dhe pastaj do të vazhdojmë jetën. Kjo nuk është fitore, gabohesh," – dhe u kthye drejt meje e më vështroi në sy me një lloj... mëshire, nga ajo mëshira që ndizet në shpirtin e atij që përcjell një të vdekur. I biri e kishte humbur udhën, rryma e fuqishme e kishte vënë para, e kishte flakur në gji të shtjellës dhe tani nuk mund të ndalej më. Ai duhej të mbante frymën e të zhytej thellë në ujë, pastaj me frymën e fundit të rrekej sërish të dilte në sipërfaqe, derisa ta përpinte terri i thellësisë. E pastaj, falë një mrekullie, do të mund të dilte nga thellina si njeri i qashtër, pa as edhe një faj."
Po a munden shtete të vogla, si ne e Letonia të dalin të pafaja nga vrasja e atyre që do të na kishin ndihmuar të shkonim më shpejt përpara? Nëpër udhën tonë e vetëm tonën? A kemi mësuar nga fati ynë? A mos po i "vrasim" edhe sot elitat atdhetare? Sado që një libër i vogël, janë faqe si këto që na ndihmojnë të mësojmë e ta duam më shumë veten.
Comments