top of page

Të gjithë adhuruesit e “Xhejn Er” nuk duhet të lënë pa lexuar “Deti i paanë i Sargaseve” – Ja përse!

  • Librat qe dua
  • Sep 13, 2017
  • 4 min read

Shtëpia Botuese Pegi sjell një shqip një tjetër roman klasik-modern i konsideruar si një ndër 100 romanet që duhen lexuar të paktën njëherë në jetë. I frymëzuar nga një nga librat më të bukur të letërsisë klasike “Xhejn Er”, ” Deti i paanë i Sargaseve” vjen si një zë i fuqishëm i historive të lëna në harresë, të heshtura e të panjohura. Mes rreshtave të tij, rikthehen personazhet e mirënjohur të romanit të Charlotte Brontë, por kësaj here në një tjetër këndvështrim, duke eksploruar kështu dritëhije të ndryshme të mënjanimit dhe të përçmimit: gjinia, klasa, raca dhe çmenduria. Edhe pse Charlotte Brontë i vuri zjarrin shtëpisë, ishte Jean Rhys ajo që dogji sistemin. Më poshtë, ju sjellim një intervistë me përkthyesen e romanit Anxhela Çikopano.

Pra, “Deti i paanë i Sargaseve” sapo është botuar në shqip. Na shuaj pak kureshtjen, ç’është kjo autore? Kush është Jean Rhys? Jean Rhys është një autore britanike, e lindur dhe e rritur deri në moshën 16-vjeçare në ishullin Dominikë të Karaibeve, emri i vërtetë i së cilës është Ella Gwendolyn Rees Williams. Autorja që ka shkruar një sërë librash është e famshme për shprehjen: “Mua më duket se e gjithë kjo puna e parave dhe seksit lidhet me diçka shumë primitive, që rron thellë brenda nesh.” Dhe në fakt, askush më mirë se kjo autore nuk mund të nisej në kërkim të kësaj, sepse Jean Rhys ishte një grua që provoi karrierën prej vajze spektaklesh, një hop të shkurtër si prostitutë, një abort të paguar nga një ishi dashuri i saj, tre martesa të tmerrshme, alkoolizmin, burgun e Hollëuejit, tek-tuk qëndrime të shkurtra në çmendina dhe mbështetje të shpeshtë financiare nga ish të dashurit e saj, që e kishin braktisur kohë më parë. Turbulluese vërtet, por gjithë kjo përvojë na solli këtë libër, që ajo e shkroi si një pararendës të“Xhejn Er” të Charlotte Brontë.

A mund të na tregosh pak më shumë për këtë? Ata që e kanë lexuar “Xhejn Er” jam e bindur se nuk e harrojnë dot personazhin e Bertës, gruas së çmendur nën çati. E pra, në qendër të këtij libri është pikërisht Berta, lindur me emrin Antuaneta Kosuej, në ishujt e Xhamajkës. Autorja merret me këtë personazh që në fëmijëri, me botën e bukur e të egër ku rritet ajo, përballur me heqjen e skllavërisë dhe përmbysjen e rendeve shoqërore të njohura gjer atëherë. Pastaj shohim rininë e saj dhe djaloshin Roçester, që martohet me të dhe struket në një ishull, aty ku mprihen gjithmonë e më egërsisht marrëdhëniet mashkull-femër, seksi, dashuria, egërsia racore, paratë e prona dhe të fshehtat e gjakut.

Çfarë ka kaq të veçantë ky libër? Ka qenë një sukses i vërtetë kur doli… Është një libër me tablo shumë ekzotike, të fut në një botë që ti nuk e njeh, ama falë autores, e imagjinon më së miri dhe fantazia të rrëmben e të çon një skutë bimësh të harlisura e natyre të ndezur, ku të duket se njeriu nuk mund të ndjejë veç dashuri e kthjelltësi. Por është pikërisht ashtu siç ju thashë në fillim: sado e thjeshtuar jetesa e tyre, prapë instinkti primitiv drejt parasë dhe seksit, i shtyn ata njerëz të shndërrohen nga të pafajshëm në… do të guxoja të thosha edhe njëfarësoj bishash. Interesante është se ne e dimë se si janë personazhet në fund, na e ka treguar Charlotte Brontë, por në këtë libër zbulojmë zanafillat e tyre të qashtra dhe gjithë rrugëtimin se si u bënë ata që ne njohim. Kjo është e pazakontë, por ju siguroj se është po aq intriguese. Është një libër sa i dashur e i shtruar kur e merr në dorë, aq i trazuar në thellësi të tij; me dallgë të nëndheshme që të zënë nga kyçet e ti mundohesh të dalësh matanë, në atë bregun që e njeh aq mirë, por e ke të vështirë. Gjithsesi, uji që të ka lidhur këmbët mbetet i gjelbër e gjithë aroma dehëse ekzotike.

Cili është stili që ka përdorur autorja në “Detin e paanë të Sargaseve” Më shumë është si një libër që sheh nga brenda, se sa nga jashtë. Në pjesën e parë jetojmë me zërin e sytë e Antuanetës, në pjesën e dytë me atë të të riut Roçester dhe në të tretin fillon me të kujdestares së saj, Grejs Pullit dhe përfundon sërish me të Antuanetës, që tani është Berta. Megjithatë, nuk mungon rrëfimi klasik i ngjarjeve, nuk është i gjithi zë i brendshëm, por ajo që më ka shijuar më shumë ndërsa e lexoja është fundi i librit përmes syve të Antuanetës, një fund i zi, por me kaq shumë dritë… Gjithsesi, po ta njohësh autoren, kupton që ka shumë nota autobiografike: siç ju thashë më herët lidhjen e parasë me seksin, varësinë financiare, një dëshirë të vazhdueshme të vetë autores në fëmijëri për t’u dashur nga e ëma, një luftë e dëshpëruar dhe shpesh e dështuar gruaje për të qenë e pavarur në një botë të zotëruar nga meshkuj; problemet me alkoolizimin dhe dhunën. Vetë autorja, ashtu si personazhi shkatërron veten, që të gjejë dashurinë, por siç thotë biografia e saj, Pizzichini: “…partneri i vërtetë i Rhys ishte pena e saj dhe se ndonjëherë udha e artistit është vetmia.”


“Deti i paanë i Sargaseve” – Jean Rhys Përktheu: Anxhela Çikopano Nr i faqeve: 178 Zhanri: Roman Çmimi: 800 Lekë


Artikulli është marrë nga "Librat që dua" dhe gëzon të drejtën e tyre. Për çdo riprodhim merrni leje në këtë fae. Shkrimin në origjinal e gjeni këtu

 
 
 

Comments


Recent Posts
Archive

© 2015  by anxhela

  • w-facebook
bottom of page