“E shoqja e tigrit”, një roman mbi luftën e Ballkanit qëndisur mes mitesh
- Anxhela Cikopano
- Apr 19, 2020
- 3 min read
Përpiquni të kujtoni luftën e viteve ’90 në Jugosllavi, masakrën e Srebrenicës dhe shkatërrimin e urës 400 vjeçare të Mostarit. E pra, në dukje asgjë nga këto nuk gjendet në romanin “E shoqja e tigrit”, shkruar nga 26 vjeçarja Téa Obreht, fituese e çmimit prestigjioz “orange”, por prapë kush i njeh do t’i gjejë aty, koklavitur mes emrash të panjohur me tingëllim sllav, mitologjie ballkanike dhe rrëfenjash gjysmë të vërteta e gjysmë të trilluara. Téa Obreht lindi në vitin 1985 në Beograd, por familja e saj u largua kur ishte 7 vjeç, pra, para se të niste lufta. Ajo ka jetuar në Qipro, në Egjipt, pastaj në vitin 1997 u largua drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se nuk ka qenë e pranishme në vitet e luftës, libri i saj, më shumë se një pjellë e historisë, është pjellë e fantazisë, e një fantazie mbresëlënëse. Në qendër të rrëfimit është Natalia Stefanoviç, një mjeke e re që jeton me gjyshin, gjyshen dhe të ëmën në një qytet të paemër të Ballkanit, në prag të shekullit të ri. Në rrëfimet e saj koklaviten zakonet e vjetra e tendencat e reja, pjesë e një brezi që është rritur diku mes viteve ’90, ku secili nga ne gjen pak veten. Natalia është shumë e lidhur me gjyshin e saj, një mjek me nam, karriera e të cilit shtrihet mes krijimit të një Jugosllavie të re e të fuqishme dhe copëzimit të saj në pjesë, që dikur ishin të tyret e tashmë nuk u përkasin më. Vetë Natalia i përket një brezi që e kalon adoleshencën “në pritje të luftës”, një luftë që është më e fuqishme kur nuk është, se sa kur mbërrin vërtet, e ca më shumë kur largohet dhe lë pas një brez, që nuk mund të justifikohet më me gjendjen e “pritjes”. Autorja i referohet luftës së Jugosllavisë, por pritja e saj i ngjan shumë trazirave të ’97 në Shqipëri, kur zhvillohej një “luftë” moderne e paluftë, ndaj shumë shqiptarë do të gjejnë veten në të, do të rikujtojnë ndjesi e mendësi, që i kanë përjetuar në vetën e parë. Por lufta e Téas është një luftë humane, ajo nuk mban palë, ajo fajëson gjithçka që përçudnon njeriun, pavarësisht motiveve. Kështu mes rreshtave do të gjeni një serbe të re, që flet me shumë dashuri e ngrohtësi nëpërmjet personazheve të saj, për fenë tjetër, për bashkështetasit e kombësive të tjera, për ballkanasit që lidhen fort me njëri-tjetrin, falë historisë, miteve, gjellëve e folklorëve të përbashkët. Dy tipare të tjera janë shumë interesante për këtë autore të re: rrëfimi epik që të zhyt në histori plot fantazi dhe hulumtimi filozofik mbi jetën e vdekjen. Është e çuditshme se si kur rrëfen për të shkuarën, për fëmijërinë e gjyshit të saj, personazhi kryesor zhytet thellë e më thellë në histori të vendeve që do t'i takojmë edhe në tashmen, sa duket sikur ajo ka jetuar edhe në kohët e pushtimit otoman në Ballkan, edhe në kohërat e Luftërave Botërore, edhe në të tashmen. Detajet janë kaq të kuruara me kujdes dhe stili është kaq i ngrohtë, sa kujtimet e së shkuarës të kujtojnë përrallat e fëmijërisë. Po ja tek hyn hulumtimi i saj për jetën e vdekjen, nëpërmjet personazhit të “njeriut që nuk vdiste dot”, një hulumtim me konkluzione e hamendësime të thella e të pabesueshme. E natyrisht që në një roman të thurur me kaq kujdes nuk mund të mungonte linja e dashurisë, por dashuria e Téas është një dashuri tjetërsoj, një dashuri përtej të imagjinueshmes, dashuria më njerëzore dhe më e vërtetë që mund të keni hasur ndonjëherë. Ajo fillon me dashurinë e gjyshit për tigrat e shkronjë pas shkronje na çon në dashurinë e tij të hershme për “të shoqen e tigrit”, teksa na rrëfen edhe një sërë dashurish të tjera, të forta e të pastra si kristal, që kthehen gati-gati në epike e kurrë mishtore apo të denja për bestseller-a me skenarë të bujshëm Hollivudianë, që nuk e mbërrijnë kurrë zemrën. “E shoqja e tigrit” është një libër me ekuilibër të shkëlqyer mes të shkuarës e realitetit, që nuk të lodh, por të mban të etur për më shumë. Një penë e re që shkruan si romancierët e hershëm, madje shkruan aq mirë sa, kur e ke përfunduar së lexuari, kupton që pas këtij romani nuk mund të lexosh më gjithçka që të bie në dorë. Libri vjen në shqip nga përkthyesja Anxhela Çikopano, një përkthyese relativisht e re me gjuhësi e figuracion të pasur, që do ta përmendja mes të tjerave edhe me punë të shkëlqyera si “Kopshtari i paepur” dhe “Jetët e parrëfyera të Pipa Lisë”. Një libër që nuk duhet t’ju shpëtojë pa e lexuar.

Comments