Ana tjetër e një klasiku
- Loreta Berhami
- Dec 23, 2017
- 3 min read
Shumë kohë para se bota të njihej me fan fiction (ose “shkrimi letrar i admiruesve”), sidomos falë librit “50 hijet e Greit”, na ishte Jean Rhys, shkrimtare angleze, e cila interpretoi nga e para klasikun “Xhejn Er” të Charlotte Brontë-s, në një roman të shkurtër të vetin, të cilin e titulloi “Deti i paanë i Sargaseve” (Wide Sargasso Sea). Romani u botua në 1966-n dhe që atëherë, ky prelud i Xhejn Erit, është bërë po aq i famshëm sa vetë klasiku që e frymëzoi, duke u konsideruar një vepër letrare e pasur me motive dhe teknika moderniste e postmoderniste.
Me pak fjalë për lexuesit tanë, kjo është historia e njohjes dhe martesës së Antuanetës, një trashëgimtare e bukur kreole, me Eduard Roçesterin, pinjollin e dytë të një aristokrati anglez.

Zotin Roçester e kemi njohur mirë ne lexuesit e Xhejn Erit: pikërisht ai është punëdhënësi pasanik dhe inatçor me të cilin Xhejni do të dashurohet aq dëshpërimisht. Por ai, Eduardi pra, ka një sekret të tmerrshëm, i cili e pengon të martohet me Xhejnin: ai është i martuar me Antuanetën, një grua e çmendur që jeton në papafingon e shtëpisë së tij kështjellore në Angli.
Dhe ja tek vijmë te romani ynë i radhës: “Deti i paanë i Sargaseve” rrëfehet, pjesërisht, nga Antuaneta dora vetë dhe na tregon se “gjithmonë ka një anë tjetër, gjithmonë”. E ana tjetër në këtë rast është pikërisht personazhi i Antuanetës dhe jeta e saj: e ëma e hidhëruar deri në çmenduri, shtëpia e djegur, fëmijëria e dhunshme, adoleshenca e vetmuar dhe martesa me Eduardin.
Imagjinoni, të dashur lexues, imagjinoni dëshpërimin më të plotë, një dëshirë të tmerrshme e të gjallë si një përbindësh, që dikush t’ju dojë, t’ju përqafojë, që dikush, pak rëndësi ka se kush, t’ju shohë e t’ju njohë. Nëse arrini ta imagjinoni një dëshpërim të tillë, a nuk do të pranonit dhe ju të martoheshit me një aristokrat të ri e të sjellshëm, që ka delikatesë dhe ju buzëqesh? E çfarë pastaj se nuk e njihni? Ju keni nevojë t’ju duan. Kështu, Eduardi dhe Antuaneta do të martohen dhe për pak kohë do të dashurohen, por diçka do të ngecë dhe loja e tyre do të shndërrohet në një torturë të dhimbshme.
Shumë njerëz e konsiderojnë këtë roman dhe fundin e hidhur të Antuanetës, si një zbulim të karakterit të vërtetë të Roçesterit, këtij mashkulli të mistershëm, të pushtetshëm dhe tërheqës… Në rininë e tij, ai na shfaqet i hidhur, hakmarrës e cinik. Shumë do t’ju thonë se “Deti i paanë i Sargaseve” e bën atë përgjegjësin kryesor për çmendurinë e mëpasshme të Antuanetës. Ndërsa unë mendoj se ai është thjesht një tjetër burrë i zhgënjyer dhe se çdo dashakeqësi dhe ligësi është thjesht dhimbje e ndrydhur.
Në thelb, ky roman është thjesht një tjetër rrëfim i keqkuptimeve në çift. Papjekuria dhe papërvoja e Antuanetës dhe Roçesterit i çon ata drejt një ftohjeje reciproke të ngadaltë, drejt hatërmbetjeve dhe heshtjes, varrit përfundimtar të çdo çifti. Në fantazitë e tyre, ata janë munduar të bëjnë paqe me njëri-tjetrin (“…po qau, do ta marr në krahë të përhënurën time. Është e çmendur, por është e imja, vetëm e imja”), por as njëri e as tjetri nuk kanë arritur ta bëjnë mënjanë krenarinë dhe mosbesimin. Historia e tyre është dëshmia e disahershme se dyshimi i fshehur është ndoshta brejtja më e pandalshme e një dashurie.
Artikulli është marrë nga "Librat që dua" dhe gëzon të drejtën e tyre. Për çdo riprodhim merrni leje në këtë faqe. Shkrimin në origjinal e gjeni këtu
Comments