top of page

Sa bukur flisni ju artistët, asnjë fjalë s'të mora vesh!

  • Writer: Anxhela Cikopano
    Anxhela Cikopano
  • May 2, 2013
  • 2 min read

"Skica për dramë, konflikt dhe personazhe" e Enton Kacës ishte vërtet vetëm një skicë, madje nga ato me majë të trashë lapsi, se është konsumuar e do mprehur dhe asgjë më shumë. Që të mos keqkuptohemi këtu, kur them me majë të trashë nënkuptoj që i mungon rifiniturat, nuk ka asnjë nuancë a dritë-hije, madje i mungonte krejt struktura dramaturgjike. Ishte thjesht një përmbledhje etydesh me "t'kërcyme", që gjer afër fundit më shtonte nëpër kokë, atë që filloi si pëshpërimë dhe u kthye në buçitje: "Sa bukur flisni ju artistët, asnjë fjalë s'të mora vesh!" Fillonte një situatë, prit se po marrim vesh ndonjë gjë, hiç... mbaronte, fillonte tjetra, prit se po del gjëkundi, hiç prapë, në minutën e dyzetë si s'bërtita: "Aman thuaj një fjalë, të marrim vesh ndonjë gjë, se na plase!" Pastaj kjo gjendja filloi të shndërrohej në: "Aman o Zot, bëj që në fund të lidhet ose të na dalë në ndonjë vend, të mos na vejë kalvari dëm..." Kalvari jo vetëm që nuk na vajti dëm, por përfundoi ashtu siç duhet të përfundonte këtë të premte të zezë: me një tekst, që zëvendësonte titrat shpjegues, i cili nuk e kalonte nivelin e një hartimi gjimnazi për notë tetë, madje nuk meritonte as tetë plus. Shfaqja për mua mbaroi veç me një batutë: "Hej, seriozisht?! Në skenën e Teatrit Kombëtar?!" Edhe pse mendoja se, nëse doja të shikoja balet, do kisha shkuar nja 500 metra më tutje, tek TOB dhe jo në Teatrin Kombëtar, RESPEKTE! për të gjitha aktoret dhe aktorët në pjesën e tyre si balerinë: të rrjedhshëm si ujë dhe të lehtë si fllad, përkushtim për të të ngjallur zili! Dyshoj ndonjëherë nëse trupat profesioniste të balerinëve në Tiranë janë po aq të mirë. Gjynah që u mërzitëm me ta, jo për faj të tyre...! Në fakt, nuk ia vë fajin regjisorit, për zemërimin që më kapi pas shfaqjes, ai ka bërë atë që di të bëjë. Këtë herë duhen kryqëzuar drejtuesit e Teatrit Kombëtar, që si Juda e shesin skenën më të shenjtë të këtij vendi për 30 aspra, që nuk janë as flori... Një tradhëti e shëmtuar ndaj teatrit shqiptar në vigjilje Pashke, vetëm se për skenën tonë nuk po merr fund shpresa, se një ditë do të ketë një ringjallje dinjitoze, si ajo që mbaj mend unë dhe që nuk lidhet hiç me nostalgjinë, por me teatrin e vërtetë!

Comments


Recent Posts
Archive

© 2015  by anxhela

  • w-facebook
bottom of page