Pak për "Shkë***atën me... jo, jo, për "SHKËRDHATËN ME KAPELE"!
- Anxhela Cikopano
- Apr 26, 2014
- 2 min read
Meqenëse nga natyra dy kunguj nën një sqetull nuk më dalin, po gjithmonë kam vend edhe për ndonjë të shtatë a të tetë, koha këto ditë për mua është luks i madh. Megjithatë, nuk mund të rrija pa shkruar për "Shkë***atën me kapele" me regji të Kledi Kapexhiut, se sado e shtyja për të mbaruar punët, seç kam një si ngut të brendshëm që më shtyn ta hap thesin e të flas për shfaqjen që shijova aq shumë mbrëmë.
E di, jua prisha surprizën, madje jam e sigurt se ca kanë filluar ndërkohë të mendojnë, po pra, vdes kjo për këto me "llafe të pista", por po jua them që në krye që arsyeja nuk është fare kjo.
Mbrëmë pashë djem e vajza të reja që guxuan ta merrnin skenën e Teatrit Kombëtar e ta kthenin kokëposhtë, duke thyer çdo rregull të mundshëm të pashkruar mbi "moralitetin" e kësaj salle dhe e bënë me kaq finesë sa m'u duk se piva një gotë verë të fortë, që më la një si amëz rrushi të zgjedhur nëpër qiellzë për disa orë me radhë. Të them të drejtën, kur hyra nuk e dija vërtet ç'më priste dhe për as edhe një çast ndërsa e shihja shfaqjen nuk e dija ku do të shkonte: ishte e paparashikueshme, e gjallë, kishte një energji të re që e jetonte pjesën deri në fund, pa e çarë kokën nëse "morali" ynë do ta gëlltiste dot apo jo. Xheki (Marin Orhanasi), Ralfi (Indrit Çobani), Veronika (Eglantina Ceno), Hulio (Ervin Bejleri) dhe Viktoria (Ina Gjonçi) nuk thoshin "llafe të pista", as shanin njeri, ata ashtu ishin, ashtu jetonin, madje po t'ua "pastroje" gojën do të ta shpifnin. As e morën mundimin të na dukeshin bukur, as të na sqaronin si do u vente filli i jetës, jetuan një copë jetë aty në skenë dhe e jetuan deri në fund!
Zgjidhja skenografike ishte shumë e gjetur, dinamike, shkonte sahat me pjesën, ato pemët ishin si kripa me karar. Etydet e vogla të shpërfaqjes së secilit karakter ishin kaq pikante sa me zor prisja të shikoja se ç'do të kishte secili personazh (pati njerëz rreth meje që i përjetuan me shpirt disa prej tyre, reagonin vërtet fort), karakteret ndërtuar me shumë kujdes kishin nëntekste të forta të asaj çka fshihte secili brenda vetes, një vënie e qëndisur me dashuri e pasion nga secili pjesëtar i trupës, që lexohej shumë qartë në skenë.
Në posterin e shfaqjes thuhet "mbi moshën 16 vjeç", të isha unë do kisha shkruar:
Vareni "moralin" tek portmantoja tek dera e teatrit dhe merreni kur të shkoni, nëse do t'ju pëlqejë akoma ta mbathni. Jeta është kjo që është, njerëzit janë ata që janë, po të doni hajdeni ta shohim bashkë në sy.
P.S. Shfaqja nuk këshillohet për ata që nuk i thërrasin "bukës-bukë", por kanë emra më të sofistikuar për t'i ardhur nga Kina, le më për ata që bëjnë si puritanë, sepse kanë lindur nga lakra apo lejleku.

Comments