Mbi probleme të dramaturgjisë shqipe*
- Anxhela Cikopano
- Apr 15, 2014
- 5 min read
Të themi sot se më në fund jemi mbledhur të gjejmë një zgjidhje për dramaturgjinë bashkëkohore shqiptare është njësoj si të pretendojmë se edhe avionin e humbur Malaysia Airlines mund ta gjejmë nëpërmjet konferencash.
Zgjidhja dihet: teatri bëhet në teatër. Fabula mund të jetë një shkëndijë e autorit, por përkryerja e pjesës dramaturgjike ndodh vetëm në tavolinën e provave e në mizanskenë. Kështu ka bërë Shekspiri, kështu ka bërë Brehti, kështu kanë bërë Juxhin O’Nilli, Ibsen, Strindberg, Vashllav Havel, Kërlezha, Jasmina Reza, Tom Stopard dhe mund të vazhdoj kështu me një vazhdë emrash historikë apo bashkëkohorë (për të mos përmendur antropogjinë teatrore dhe çdo shkollë tjetër teatri që nuk shfrytëzon fjalën, të cilët po të mos bëhen në skenë, nuk bëhen fare).
Po çfarë ndodh me dramaturgët shqipshkrues sot? Do t’ju kërkoj paraprakisht ndjesë për përgjithësimin në kategorizimet që do të bëj, pasi çdo krijues ka individualitetin e tij dhe ka edhe përjashtime nga kategoritë e mia, por në perceptimin tim do t’i ndaja në dy grupe:
1. Të mbrujturit në “shkollën e partisë” dhe
2. Ata që u krijuan në hapjen e gjerë me botën pas viteve ’90 apo edhe nga çelja e kufijve të komunikimit nëpërmjet internetit, pas viteve 2000 në Shqipëri.
Ku qëndrojnë problemet kyçe në secilin grup? Tek:
1. Stili dramatik (që janë mënyra si trajtojnë karakteret dhe tematikën)
2. Teknikat e zejtarisë (që lidhet drejtpërsëdrejti me teknikën konkrete të shkrimit skenik)
Tek stili do filloja me karakteret. “Shkolla e vjetër” ka probleme të mëdha me karakteret: për ta ende vazhdon partizani, ballisti, gjermani, i miri, i keqi... karakteret vazhdojnë të jenë bardhezi. As që bëhet fjalë të gjesh karaktere alla-Strindberg ose O’Nill, ku ti nuk ndan dot cili është fajtori e cili nuk ka faj, pro apo kundër kujt personazhi je. Tek “shkolla e vjetër” me justifikimin e trajtimit të qartë të karaktereve ka probleme të mëdha me përzierjen e grive, çka është thelbi i njeriut në të vërtetë. Dhe kulmin e këtij problemi, padyshim e përfaqëson “Ëndrra e Ismail Qemalit” nga Bashkim Kozeli, që unë sinqerisht nuk e kuptoj se si është shpallur fituese e çmimit mbarëkombëtar të dramës shqipe në vitin 2012.
Fatmirësisht këtë nuk e kam hasur tek autorët e plejadës së re, personazhet e tyre janë të lakueshëm, mbajnë brenda aftësinë njerëzore të përthyerjes, nuk paraqesin tiparet tipike të një heroi apo të një keqbërësi, kanë edhe pika të forta, po edhe dobësi të theksuara dhe padyshim këtu nuk do të mund të lija pa përmendur karakteret që sjell Kushtrim Bekteshi apo sidomos Doruntina Basha tek “Gishti”.
Përsa i përket tematikës dhe trajtimit të ngjarjes, tek “shkolla e vjetër” nuk e kuptoj pse, po ka një tendencë për të mos u marrë thjesht me një ngjarje dhe prej saj publiku të nënkuptojë fenomenin. Përkundrazi, ka një tentativë gati-gati të dhunshme për të ngucur gjithë fenomenin në një vepër që zgjat 1 orë e gjysmë. Çka është më e keqja, ky fenomen dublohet edhe nga fjala e folur, sidomos me monologë shpjegues, duke sjellë një “rrasje me forcë” të një hapësire kohore e gjeografike më të madhe nga ç’mund të mbajë hapësira teatrore. Kjo e bën pjesën të mbufatur, artificiale, moralizuese dhe shkakton ngërç në mishërimin skenik. Këto janë shfaqje tipike si “Korbi i bardhë” nga Z. Luarasi, “Hajdutja e bukur” nga Ruzhdi Pulaha, “Tri mendje në ankand” nga Ferdinand Hysi, ku publikut shfaqja i duket e pabesueshme dhe një deklaratë gati-gati gazetareske, në vend të një përjetimi spastrues, çka njerëzit në mënyrë të ndërgjegjshme e të pandërgjegjshme presin nga teatri.
Nga kjo plejadë ka edhe nga ata dramaturgë që prekin problematikën e kohës së komunizmit, duke dhënë edhe tablo fine si “Nata e trokitjeve në xhama”, të Z. Anagnosti. Por pyetja që shtroj unë është: sa nga publiku sot lidhen me këtë tematikë? Mos harrojmë që kanë kaluar 23 vjet nga divorci me komunizmin (të paktën në teori) dhe nuk duhet të rrimë pa shtruar pyetjen: a është kjo problematikë vërtet e rëndësishme për ata që kanë lindur në vitin ‘90 dhe që janë publiku që po fillon të frekuentojë teatrin sot? Të mos harrojmë që këta janë sot 23 vjeç dhe natyrisht që “Nata me hënë” nuk ua ngre qimet përpjetë ashtu siç ndodhte me 23 vjeçarët e asaj kohe.
Ndërkaq, dramaturgët e rinj nuk merren me fenomenin, ata merren kryesisht me një ngjarje kryesore. Mirëpo tek disa syresh kam hasur probleme me teknikën e të shkruarit, sepse duke kërkuar një lloj “justifikimi” të ngjarjes së tyre, ata fusin si pyka edhe një mori mini-ngjarjesh ose problematika të dorës dytë, çka sjell një hallakatje nga ngjarja kryesore, siç ndodh fjala bie me dramaturgen e re Ledi Kaçani, të cilën rastisa ta lexoj këto ditë. Ama duhet të theksoj se ky është një problem teknik, më shumë se një problem i fokusit ndaj çështjes kryesor që trajtojnë dhe e them me bindje të plotë, që ndonjëherë stili i të shkruarit nga dramaturgë të rinj si Jeton Neziraj apo Çapaliku fjala bie, nuk lë asgjë për të dëshiruar nga dramaturgjia bashkëkohore evropiane dhe amerikane, po vërtet asgjë dhe këtë e them me kompetenca të plota.
Sa i përket teknikës, brezi i shkuar është më zanatli, sidomos me gjuhën vepruese dhe me shkak-pasojën, se natyrisht është një brez i krijuar nëpër skena, çka na mungon sot për të zhvilluar mjeshtërinë e dramaturgëve të rinj.
Nga gjithë kjo dalin natyrshëm edhe problemet që ka regjia me dramaturgjinë shqipe. Pjesa më e madhe e dramaturgjisë shqipe (për të mos thënë e gjitha) që trashëguam nga epoka e errët e qoftëlargut ka mungesën thelbësore të elementit universal, për shkak të problematikës që trajtonte dhe pavërtetësisë historike që e karakterizon fund e krye. Ndaj është e pamundur ta vësh në skenë dhe të pretendosh se mund të jetë e përshtatshme për problematikën e sotme. Kjo na çon në një bagazh të tërë dramaturgjik të pavlefshëm në ditët e sotme dhe në nevojat për të nxitur krijimin e kushteve të favorshme për të prodhuar një dramaturgji të re bashkëkohore.
Në këtë kuadër, teatrot-laboratorë janë e vetmja zgjidhje që mund t’i japim kësaj pune. Po ku t’i bëjmë këta laboratorë? Unë them kudo! Sikur magazina të merren me qira, sikur t’i dedikohet ajo salla e tmerrshme rrethore e Teatrit të Metropolit, që sipas meje vetëm sallë për publik nuk është, për sa kohë një spektator sheh fytyrën aktorit, ndërsa tjetri të pasmet... Ambienti është shumë i lehtë për t’u gjendur, nëse ka vullnet të mirë për t’u bërë kjo punë; aktorë ka plot, për regjisorë them se nuk jemi keq, dramaturgë ka, se sjellin pjesë për konkurrime. Prandaj personalisht nuk më duket fare e vështirë: organizohet një konkurrim me sinopsis të veprës, zgjidhen 1, 2, 20 dramaturgë që duken të kenë brumin dramaturgjik, i akordohet një fond përkatës i mjaftueshëm (!), që të zgjedhë një regjisor dhe trupën e aktorëve dhe le të themi, në krye të 6 muajve shfaqja duhet të jetë gati. Në fund komisioni vlerëson nëse shfaqja meriton të ngjisë skenën e Teatrit Kombëtar apo të Teatrit Kombëtar të Komedisë dhe nëse dramaturgu dhe trupa e tij rezultojnë të suksesshme marrin përparësi në të ardhmen, ndërsa nëse rezultojnë të pasuksesshme, natyrisht që nuk duhet të shihen me përparësi në të ardhmen. Pse e them këtë të fundit? Sepse jemi në ekonomi tregu dhe që vepra të jetë e mirë ka 2 tregues: miratimin e një bordi artistik, por edhe miratimin e publikut, që të mos përfundojmë si Qendra e Filmit, ku pavarësisht se filmi nuk pritet mirë nga publiku, regjisorët vazhdojnë të marrin fonde. Problemi më i madh që duhet zgjidhur është jo vetëm vullneti i mirë për ta bërë këtë gjë, por edhe që kjo nismë të institucionalizohet e të mbijetojë si një strukturë e vazhdueshme, përtej çdo partie që shkon e vjen.
Sa për publik, mos u shqetësoni. Publiku sot zgjedh, kërkon, nuk pret më vetëm ç’t’i japin dhe natyrisht që publikun që bën jetë aktive në Tiranë nuk e vret çmimi i biletës. Të gjithë e kanë mundësinë ta shohin një shfaqje para se të shkojnë ta djegin tek Mumja, prandaj le t’ua çojmë njerëzve pasqyrën e jetës së tyre në teatër dhe të jeni të sigurt se sallat e dramaturgjisë shqipe nuk do të jenë bosh.
*Kumtesa është mbajtur në Takimin Kombëtar të Dramaturgjisë Shqipe

Commentaires