Në një pikëpyetje të madhe për teatrin në Shqipëri
- Anxhela Cikopano
- Mar 23, 2014
- 4 min read
Kam ca që nuk po shkruaj për teatrin, por kjo ndoshta sepse tani po merrem më shumë se kurrë me të. Ca më shumë, që në mes leximeve të atyre çka kanë shkruar kokat e botës për teatrin nakatosen edhe pseudo-reformat shqiptare, që si gjithmonë u bëhet vonë për gjithçka, përveçse për teatrin vetë. "Loja e dashurisë dhe e rastësisë" me regji të Hervin Çulit në fakt më futi ca në të thella, po natyrisht që ajo ishte paraprirë nga "Shtëpia e Bernarda Albës" me regji të Kiço Londos dhe "Djemtë gazmorë" me regji të Sulejman Rushitit dhe një sërë artikujsh e komentesh, që kam lexuar lart e poshtë nëpër internet këto ditë.
Të them të drejtën, asgjë nuk më ngazëllen më shumë se sallat e teatrit plot dhe kështu ishte ajo si me Bernarda Albën, ashtu edhe me Djemtë gazmorë. E para është pa dyshim një shfaqje repertori dhe më bëri të rimendoj edhe një herë se çfarë duan të shohin njerëzit në teatër: teatërbërësit, të velur me veprat klasike shpesh tentojnë të shkojnë në forma të reja, po a do vërtet këtë publiku SHQIPTAR? Si njerëz të teatrit ne shpesh harrojmë që njerëzit nuk lexojnë dramaturgji, në fakt për një lexues të thjeshtë leximi i dramaturgjisë nuk është argëtues, madje mund të bëhet i bezdisur, kërkon impenjim, shumë imagjinatë aktive, ndaj njerëzit dramaturgjinë e kërkojnë pikërisht në teatër. Prandaj Bernarda Alba e kishte sallën plot.
Kishte edhe një arsye tjetër shumë të fortë: ishte loja mjeshtërore e aktoreve, po të them të drejtën m'u dhimbsën, sepse Bernarda Alba (një nga pjesët e mia të preferuara) nuk kishte fare, po fare regji, as në drejtimin e aktoreve, as në skenografinë e saj mjerane, as në kostume ku lexohej varfëri dhe sajime. Ndaj u heq kapelen aktoreve të kësaj shfaqjeje, që me shumë dinjitet ishin lidhur me njëra-tjetrën të luanin simfoninë e fundit me violina të një Titaniku, që një Zot e di ku shkonte dhe në ndryshim me atë që dimë të gjithë, arritën ta shpëtonin nga përplasja, madje na vodhën edhe ovacione pa fund, që i meritonin plotësisht.
Tek dy komeditë pashë atë që nuk ma merrte mendja: një argëtim të sinqertë të publikut, pavarësisht se të dyja pjesët kishin goxha ndryshim me njëra-tjetrën; një argëtim të përkorë e pa tepri, që lidhej me atë që njerëzit në Shqipëri e konsiderojnë "teatër të mirë". Të them të drejtën, e përshëndes guximin e Çulit për të vënë këtë pjesë në skenë, unë për Zotin për njëmijë vjet nuk e kisha prekur me dorë: çfarë t'i bësh sot një pjese të vënë në skenë në vitin 1730? Mirëpo ja që u vika dhe njerëzit rreth meje ishin tmerrësisht entuziastë si në sallë, edhe duke dalë prej saj. Komentet e tyre sinqerisht më habitën. Mua personalisht më pëlqyen pa masë kostumet dhe rifreskimi me lojën e aktorëve të rinj. Dukeshin si teatër i vjetër, po prapë kishin një lojë të re e të çliruar dhe mbase kjo zgjidhje e zgjuar ishte çelësi i suksesit të shfaqjes. Tani do thoni ju ç'është kjo "pikëpyetje e madhe" që ke vënë në titull dhe unë do t'ju them: është ajo pikëpyetje që duhet të shtrojë në tryezën e vet çdo specialist i fushës së kulturës, që ka marrë dhe merr përsipër të reformojë teatrin në Shqipëri, por që deri më sot nuk ka qullosur gjë. Në parimin bazë estetik të teatrit, ashtu siç e kam shkruar edhe herë tjetër, teatri ekziston falë publikut të tij: nëse ai nuk e kupton dhe nuk e përcjell, atëherë shfaqja teatrore nuk ekziston, ngelet e mbyllur në kukulen e saj si art për hir të artit dhe vdes. Të ardhur nga një etje e thellë për të futur teatrin e ri, skena shqiptare ka parë për vite me radhë shfaqje të absurdit e gjithëfarëlloj eksperimentesh, që publiku nuk i ka dashur e për pasojë i është larguar teatrit, duke i lënë shfaqjet në rrafshin e diskutimeve të njerëzve të teatrit mes njëri-tjetrit. Ka pak kohë që teatri shqiptar po rikthehet në shfaqjet mirëfilli teatrore, aspak moderne, por me këmbë në tokë dhe njerëzit po i rikthehen atij. Në këtë kuadër i bie që unë po mbroj teatrin klasik dhe po përjashtoj atë eksperimental, po a është gati publiku shqiptar për një teatër të rrymave të reja? A është gati publiku shqiptar që pas absurdit të fillojmë të eksperimentojmë fjala bie me teatrin e antropologjisë, me teatrin e anarkisë apo me teatrin e varfër (pavarësisht se asnjë prej tyre nuk është ndonjë shpikje e re, po nuk duhet të harrojmë që ne jemi 100 vjet mbrapa dhe 40 skiç)? Në gjykimin tim: JO. Ama jam krejtësisht kundër turbo-teatrit për t'iu përshtatur masave, si ca shfaqje që kam kritikuar më parë dhe që falë Zotit nuk i kam parë në skenën e Teatrit Kombëtar. Po çfarë duhet bërë? Unë këshilloj të presim, t'i japim kohë publikut të mbushet me frymë dhe ta prezantojmë atë pak e nga pak me më të rejat; ta lëmë të marrë veten nga gjendja e frikshme ekonomike derisa të kapë nivelet e shtresës së mesme e aq të qetë nga mendtë e kokës, sa të fillojë të vërë në dyshim nëse arti që ai konsumon do rifreskuar me elementë novatorë: kur njerëzit kanë hallin e shlyrjeve të kredive dhe të faturave, nuk vijnë në teatër të kuptojnë nëntekstin e instalacioneve skenike, vijnë të qeshin me komeditë ose të spastrohen nga tragjeditë, ashtu siç bën teatri në fazën e tij embrionale. Po, këtu jemi ende, duam apo s'duam ta pranojmë, në fazën embrionale të perceptimit të teatrit nga publiku, ndaj të paktën këtë ta bëjmë mirë, me shije dhe me specialistë (jo me emërime politike si ca të ditëve të fundit, që më ngritën qimet përpjetë). Ta bëjmë publikun shqiptar të lërë Ezelin për të parë një shfaqje teatri e pastaj shohim e bëjmë... P.S. Nuk pranohen komente: "Kishe gjë me Ezelin, ti motra?"

コメント