Sepse pa Sartrin ekzistenca vetë do të ishte e kotë
- Anxhela Cikopano
- Nov 3, 2013
- 2 min read
Nëse mënyra si e trajton Brehti teatrin më dha prehjen e shpirtit, pasi Dikush para meje kishte shkruar kuptimin që ka teatri për mua, pa Sartrin dhe ekzistencialistët e tjerë, jeta ime do të ishte tym: kur isha 20 vjeç, në ta gjeta vetë filozofinë e të jetuarit. Kështu që nuk mund të rrija pa parë kryeveprën dramaturgjike të Sartrit "Me dyer të mbyllura", me regji të Eni Janit.
E para u gëzova pa masë që sheshi para Teatrit Kombëtar dhe Teatrit të Komedisë ziente, madje në Teatrin Kombëtar kishte një radhë të gjatë për bileta dhe salla ishte gati plot, bekim i madh ky për njerëzit e teatrit!
Shfaqja ishte fort e mirë, pavarësisht se nepsi im për shije të forta e donte që të ziente edhe pak. M'u duk sikur donte edhe një valë, që mishi, lëngu e vaji të lidheshin fort bashkë, sepse ishte akoma në fazën, që nuk ka përfunduar ende mirë dhe pavarësisht se i ka të gjitha harxhet, vjen në gojë pak si lëngokrushkë (do të thoshte mami im). Ekspozicioni ishte i gjatë dhe veprimi i vërtetë mblidhej diku para fundit, aty ua shihnim çatajtë aktorëve. M'u duk sikur ruheshin të mos dekonspiroheshin herët, por mendoj se po t'ua shihnim dhëmbët edhe më shpejt, përplasjet mes tyre do të rriteshin si ortek e në fund do të ishin aq të forta, sa kur shfaqja të merrte fund do t'iu dhimbte lukthi dhe vendi i brinjës së shkulur. Megjithatë ishte një shfaqje që duhet parë patjetër, sepse mjeshtërive të padiskutuara të Nertan Liçajt dhe Adriana Tolkës, u shtohej padyshim edhe ajo e Laura Nezhës, të cilën unë e shihja për herë të parë (mbase për fajin tim), por që nuk qëndronte aspak më poshtë!
Në kohërat harbute ku jetojmë zgjedhja e kësaj pjese nga Eni Jani ishte si pikë mbi "i" dhe nuk duhet të ketë njeri që të mos shohë Sartrin, le më një Sartër vënë me shije.

Comentários