top of page

Kur halli nuk ulërin, ai bëhet halli im...

  • Writer: Anxhela Cikopano
    Anxhela Cikopano
  • Nov 2, 2013
  • 2 min read

Këtë fundjavë mos e merrni fare mundimin të gjeni nga të shkoni, duhet patjetër të shihni "Zhurma jashtë skene" në Teatrin e Komedisë, vënë në skenë nga Kastriot Çipi. Në fakt, nuk ishte edhe aq kollaj të gjeje bileta se ishte bërë nami, ndaj në mos këtë fundjavë, tjetrën me vrap :)

Shfaqja ishte "si bëhet një shfaqje" dhe se si teatri dhe çdo vepër arti janë subjekte të pasioneve të njerëzve të përfshirë në të. Në pjesën e parë aktorët dhe regjisori po bëjnë prova për të vënë një shfaqje në skenë dhe aty nisin edhe tensionet e para, në pjesën e dytë kanë kaluar disa ditë dhe ne e shohim shfaqjen nga prapa kuintave, aty ku zhvillohet dramaciteti i vërtetë i marrëdhënieve njerëzore. Në pjesën e tretë, disa ditë më vonë shohim rezultatin e shfaqjes, kur tensionet kanë arritur kulmin.

Pjesa e dytë ziente, aktorët ishin të shkëlqyer në atë tension dhe rrëmujë të organizuar aq mirë, sa nuk kishim kohë të merrnim frymë. Detajet ishin përpunuar me kujdes të madh dhe pas shumë kohësh pashë një skenë ku vërtet lëvizte gjithçka, si mekanizmi i një sahati. Nuk pipëtinte miza, halli luhej pa zë dhe kjo e bëri atë të kthehej në hallin tonë, ashtu siç bën një komedi e mirë.

Mua personalisht më nxori mallin e halleve të paskenës që kam kaluar mbi kurriz, por shfaqja ishte edhe një dozë e mirë leksioni gjithë humor: teatri nuk është i thjeshtë, shihni sa të forta janë vuajtjet që ju nuk iu shihni aktorëve, hallet që fshehin regjisorët e asistentët, e megjithatë ata dalin në skenë, sikur asgjë të mos ketë ndodhur.

Karakteret ishin qëndisur me fije ari dhe zor se arrij të ndaj kush ishte më mirë, po mua më shijuan paaaak më shumë Dorian Ramaliu, Julia Iliriani dhe Marsel Rupi.

Nuk e di sa herë do të vihet në skenë, por në nuhatjen time "Zhurma pas skene", nga popullariteti dhe shitja e biletave do të jetë pasardhësi i "Pallatit 176". Dhe e meritojnë se kishin punuar me shpirt. Sa mirë kur teatri është teatër!

Comentários


Recent Posts
Archive

© 2015  by anxhela

  • w-facebook
bottom of page