Një kafe me Stefan Çapalikun
- Anxhela Cikopano
- Sep 21, 2013
- 2 min read
Pas pushimeve të gjata të sezonit teatror, vendosa ta nis me shfaqjen e parë të sezonit: "Fausti prej Tirane", një monodramë nga Stefan Çapaliku, ku luante Alfred Trebicka, me regji të të dy artistëve. Gjatë shfaqjes mbajta shënime të shkruaja për të, se të them të drejtën kisha qejf të kapja ndonjë gjë për ta kritikuar, por në çastin që m'u mbushën sytë me lot, vendosa të shkruaj këtë që do të lexoni: "Një kafe me Çapalikun".
Profesor Stefani është udhëheqësi i tezës sime aspak të thjeshtë, por shumë intriguese të doktoraturës (desha të kapja ndonjë gjë që s'shkonte nga shfaqja, që mos mendonte kush se po e laja dhe e lyeja, megjithëse kush më njeh e di që s'ia them fare për këtë të fundit). Kam pirë disa herë kafe me të dhe në gjithë këto vite që e njoh, kam zbuluar një njeri që di shumë e flet jashtëzakonisht pak. Unë ankohem vazhdimisht për shpresat dhe dijet që shkojnë dëm në këtë vend, nuk pushoj, ë! E di që nuk e kam mirë, po nuk bëj dot ndryshe, e them kudo me zë të lartë se dua të iki nga Shqipëria. Kur më ka rastisur të bëj biseda të tilla me Stefanin, ai nuk fliste, ama përgjigjen ma dha sonte, mu në lule të ballit, ashtu siç mund të ta japë vetëm arti i të vërtetave.
Sonte Stefani dhe Fredi m'u duk sikur ma thanë personalisht në vetën e parë (po në fakt jo vetëm mua, sepse pashë shumë njerëz që fshinin lotët me stil) se mungesa e pafundme e shtetit dhe e meritokracisë kanë mbërritur si thikë në kockë, atëherë kur artistët humbin shpresën e fillojnë të vetvriten. E megjithatë nuk duhet të arratisemi, në asnjë formë, sepse (po e citoj) "kështu humbim mundësinë të japim shembullin tonë". Sonte kuptova se edhe ata ndiheshin njësoj, provonin të njëjtën vuajtje si edhe unë (madje më krijuan ndjesinë se qenkemi shumë syresh), por e kishin mbledhur pikë pas pike dëshpërimin e tyre dhe e kishin derdhur në një shfaqje, që niste ngadalë e kthehej në ortek. Sonte m'u duk se piva vërtet një kafe me Stefanin dhe ai më tha atë, që nuk ma kishte thënë asnjëherë në kafene: se e kuptonte se ç'po provoja, por nuk duhet të dorëzohesha.
"Fausti prej Tirane" ishte një shfaqje pa doreza që fliste troç, e cila mbase të trondiste edhe më shumë se dramaturgjia bashkëkohore, sepse mendonte shqip. Sonte pashë dy artistë që të jepnin shpresë në mbyllje të së disatës epokë të errët të shtetit shqiptar. Sonte mua dhe të gjithë të zhgënjyerve nga ky vend u thanë të mbahen fort, se çdo pikë me të cilën kontribuojmë mbush oqeanin e madh, për të cilin Shqipëria ka aq shumë nevojë.
Ka ca shfaqje që të ndryshojnë jetën, kjo ishte një prej tyre...

Comments