top of page

Nuk e gjej më qytetin tim

  • Writer: Anxhela Cikopano
    Anxhela Cikopano
  • Apr 26, 2013
  • 3 min read

Po ju pres me këmbët e para: nuk do të flas as për arkitekturën e shpifur me të cilën është shpërfytyruar Tirana, as për zhvillimet kaotike demografike, që e tjetërsuan qytetin tonë të fëmijërisë, por për atë qytet që më ka humbur, që tani është thyer në ca si fragmente mozaiku brenda meje dhe i rastis herë pas here me mall, në kujtesën time prej elefanti.

Në qytetin tim çdo stinë kishte aroma dhe shije.

Dimri kishte ajër të ftohtë, të pastër dhe vinte erë drush të djegur, tym ishte në fund të fundit, por kishte tjetër aromë. Kishte aromë mollësh starkinga që me zor i dilte era çantës sportive, me të cilën i sillte daja i tim eti. Po ky dajë (që prej meje i mbeti emri "Xhaxhidaja", se unë doemos që 5 vjeç kisha halle ekzistencialiste: nuk ndaja dot në duhet t'i thërrisja xhaxhi në shenjë respekti apo daja, si im atë, se në fund të fundit, unë nuk e kisha dajë...) na sillte edhe kolé nga Erseka, që mbushte shtëpinë me një aromë, që sot e kërkoj dhe nuk e gjej. Po dimri kish edhe aromën shpuese të bredhit të Vitit të Ri, ajo aromë sikur ish vetë festa. Pa më kujtohet amëza e supës së kopshtit, që kish një shije që nuk i ngjante kurrë supës së mamasë në shtëpi. Aroma e mafisheve, që babi i piqte me gazetë tek soba me dru dhe ngazëllimin e gjithë procesit të bërjes së tyre (çoç po bëhej). Kam edhe një ndjesi që nuk kam ditur kurrë ta përshkruaj, një si gjendje dehjeje, turbullire, kur mamaja të lante me kanoçe një herë në javë dhe meqenëse kanoçja nuk e merrte ujin e fundit të kovës, mamaja e kthente kovën kokëposhtë dhe ta rrëkëllente gjithë ujin mbi kokë: pikërisht ky shkulm i vrullshëm më krijonte një gjendje dehjeje, që nuk di pse po edhe sot më sjell ndërmend muzikën e filmit me Xhepërvokin... (kaq më pëlqente ajo ndjesi, sa sot ia derdh fundin e kovës fëmijëve në kokë, me shpresën se do provojnë edhe ata).

Pastaj vinte pranvera me nektar e aromë dorëzonjash e trëndafilash të vegjël, nga ata që rriteshin mbi dyert e shtëpive përdhese dhe që kishin karabusha me lëng... hmmmm... nuk ka një fjalë për atë shije... Me aromën karakteristike të domateve (që mbase ishte edhe aromë kimikatesh, po unë sa herë e ndjej edhe sot, mendoj që ajo domate duhet të jetë e mirë, vetëm sepse ka atë aromë), kokrrizat e tyre kur e çaje domaten me gishta (jooooo ta prisje me thikë) dhe shijen e ujshme të katravecit të njomë. Pastaj vinin manat e kuq të tokës, që tezja e babit i ruante kastile për ne (vdiqa të provoj edhe një herë shijen e atyre manave të tokës). Po shurupi me gjethe trëndafili? Apo gara për të kapur xixëllonja nëpër ferrat e lagjes? Po lojërat nëpër rrënojat e shtëpive, që u kishte rënë plani, me atë erën tipike të suvasë të lagështuar, që ti e lidhje me zhbirilime për thesare alla Pipi Çorapegjata?

Me verën vinte karroca e akulloreve 5-lekëshe me atë shijen dhe aromën, që do ta gjeni veç në e bëfshi akulloren pa ngjyrues e shtues shijeje në shtëpi. Era karakteristike e furrës së tavave, ku gjyshja e mami çonin byrekët me kungull dhe Ylli tavapjekësi do të merrte patjetër nga një ngastër, demek se i pëlqenin shumë byrekët e shtëpisë sonë (kushedi sa dreka ka hequr Ylli, merr një copë byrek këtu e një spec tave atje). Po aroma e kafesë që piqej me qebap në ballkon dhe ti vdisje ta bluaje me ata mullinjtë e kafesë, që të linin nëpër duar erën e hekurit (iiiii era hekur! thoshim kur ishim fëmijë).

Po pastaj vinte vjeshta, me të vinte shkolla dhe natyrisht idet e sapodala, sa unë ende sot, kur hyn 1 shtatori filloj të kërkoj për ide. Vinin misrat e pjekur nga xhaxhai në rezistencën me bukë balte, që nuk do t'i garojë asnjë misër në botë për njomështi. Po edhe gështenjat gjithë tul e shije. Pa vinte era e rrobave të lara me sapun dhe të hekurosura me hekur të nxehtë, një amëz e përkorë pastërtie.

Ky është qyteti që më ka humbur, bashkë me lojërat e fëmijërisë që nuk luhen më; bashkë me komanin, kopacat, karrocën me kuzhineta, pincat, lojën me shami... Ky është qyteti që nuk do ta gjej më kurrë, por që jeton ende në kujtimet e shokëve të mi...

Në paçi ndjesi që doni t'i ndani, ju mirëpres në komente :)

 
 
 

Comments


Recent Posts
Archive

© 2015  by anxhela

  • w-facebook
bottom of page