top of page

Sepse ata që e duan teatrin nuk duhet të blejnë mall pazari pleshtash!

  • Writer: Anxhela Cikopano
    Anxhela Cikopano
  • Apr 20, 2013
  • 3 min read

Këtë herë po i flak dorezat fare: Elma Doresi duhet ndaluar të vërë shfaqje ne skenat e Tiranës! Në industrinë e reklamës askujt nuk i lejohet të reklamojë diçka të pavërtetë. Nëse kjo ndodh, produkti denoncohet nga shoqatat e konsumatorit, duke sjellë ndalim të produktit apo gjobitje të kompanisë. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me shfaqjet mjerane të kësaj "regjisoreje". Në mes të krizës, shqiptarët nuk duhet të hedhin 500 lekë në plehra (kulmi, bileta është edhe më e shtrenjtë se e Teatrit Kombëtar) dhe një mbrëmje, sidomos pranverore, për të parë palo "shfaqjet" që na vë kjo vajzë në atë mejdan cirku. Nuk e shkrova që herën e parë, se mendova e ka zënë halli që ka përdorur atë "skenë" (që na mban edhe emrin e Poetit të madh), por tani e kuptova që e paska me bindje përdorimin e skenës më të përçudnuar në Tiranë, një mejdan cirku ku në një monolog, ca shikues i shohin aktorit fytyrën e ca bythën, ku këta të dytët zor se kuptojnë gjë. Mua për vete, edhe pse në rresht të parë, më kishte rënë për pjesë bytha sonte. Më duket sikur edhe këtë herë do të më duhet të rishkruaj ato që kam shkruar herën e parë, me ca shtesa të reja. Regjisori nëse nuk ka lindur me ritmin, nuk do të bëhet kurrë regjisor. E pra, në shfaqjet e kësaj "regjisoreje" ka vetëm barqe, rrathë viciozë situatash që nisin, mbarojnë, rinisin, rimbarojnë në mënyrë ciklike gjatë gjithë shfaqjes, duke e shndërruar këtë të fundit në monotone për vdekje. Për pasojë të gjitha monologjet dramatike të personazheve ishin të sforcuara, të papërligjura dhe të panatyrshme. Ashtu si tek "14 vjeç dhëndërr" kishte etyde të komedisë fizike, nga ato më të rëndomtat të filmave pa zë, që studentët e vitit të parë i bëjnë vetëm 2 muajt e parë të Akademisë; elementë të sforcuar komikë, me ca motive këngësh popullore tëpkë si tek "14 vjeç dhëndërr"; probleme të rënda me zbërthimin, krijimin dhe ruajtjen e karaktereve deri në fund të pjesës. Shkova ta shihja shfaqjen sepse ishte pjesë e një natyre tjetër nga "14 vjeç dhëndërr" dhe thashë duhet të shoh se ç'do të sjellë. U neverita keq, kur pashë se kjo vajzë nuk di të bëj asgjë më shumë nga paçavurja që kish bërë herën e parë, vura re se as nuk arrin ta kuptojë ndryshimin midis shkollave të teatrit, stileve të ndryshme, tipareve të tyre karakterizuese, ka një mungesë të theksuar veshi në çështjen e ritmit dhe duke qenë se për shkak të mungesës së ritmit "shfaqjet" e saj nuk kanë pikë kulmore, ajo përdor si mbyllje deus-ex-machina (sqarimin për këtë e gjeni tek shkrimi i 6 shkurtit "Të shkruaj a të mos shkruaj"), që sot e kësaj dite thjesht ta shpifin. Për pasojë pashë një "shfaqje" që më bëri derr që në minutën e 19 dhe jo vetëm mua. E vetmja gjë që më pëlqeu pa masë ishte karakteri i ndërtuar mjeshtërisht nga Elona Hyseni, komplimente vërtet, vetëm se u prish kur foli. Ai personazh duhej mbajtur në shkollën e Euxhenio Barbës dhe duhet ta kishte komunikuar edhe monologun në gjuhën e tingujve, si gjer më atëherë, por kjo mund të kish ndodhur veç nëse "regjisorja" do të kish haber nga kjo punë dhe nuk do ta kishte mendjen të investonte në humor të ulët alla-TiranaTV dhe natyrisht në detaje me nënkuptime seksuale dhe "të futme duarsh". Për ata që u gënjeu mendja edhe herën e parë se une kisha ndonjë gjë personale me këtë vajzë, unë nuk e njoh fare dhe nuk kam absolutisht asgjë me personin në fjalë, por trumbetimi i një fenomeni të tillë nëpër media, që u zhvat nga xhepi 500 lekë për kokë teatërdashësve, për t'u ofruar më pas një "teatër" me probleme të rënda, gozhdën shijekeqe të të cilit publiku e ndjen si plagë, edhe pse nuk e artikulon dot, këtë nuk mund ta lejoj. Shqiptarët do t'i kthehen sërish teatrit si dikur, vetëm nëse teatri do të jetë teatër, nga ai më i miri. Dhe dukshëm "Tri mendje në ankand" me regji të Elma Doresit nuk është i tillë. Ndaj mos i çoni dëm paratë tuaja, më mirë blini një libër ose merrni një biçikletë me qera e dilni nga liqeni, pa dyshim do të përfitoni më shumë!

Comments


Recent Posts
Archive

© 2015  by anxhela

  • w-facebook
bottom of page