Nuk rriten çiliminjtë vetëm me dashuri...
- Anxhela Cikopano
- Apr 12, 2013
- 2 min read
Teatri mbase është e vetmja gjë që e dua po aq sa fëmijët. Mbase kjo dashuri më ka kallur datën, që të mos vë shfaqje pa fonde të mjaftueshme. Po sikur pamundësia e fondeve të më çonte në humbjen e tij? Po sikur të mos ia dilja të arrija atë që doja dhe përtej dëshirës së mirë, në fund askush të mos të donte t'ia dinte për justifikimet e mia, se aq mundësi financiare kisha pasur...? Mirëpo Driada Dervishi me "Ëndrrën e një nate vere" më provoi se ndodh edhe ndryshe. Kaq e madhe ishte dëshira e regjisores dhe e trupës, sa shfaqja e tyre ishte tamam pranverë në këto ditë prilli, ku këto të shkreta plaka nuk po mbarojnë së pari filxhanët e të nisen në punë të tyre. Shfaqja ishte magjike me atë zgjidhjen fine të skenografisë, që ngjallte ndjesinë e "will-o'-wisp" (dritëzat fosforeshente që shfaqeshin gjatë natës nëpër moçalishte, për shkak të djegieve organike të gazarave, që lëshoheshin nga lëndët në dekompozim, por që në kohën e Shekspirit mbaheshin si zana ose si një iluzion që të drejton në udhën e gabuar), tamam thelbi i shfaqjes në fjalë. Loja e aktorëve ishte fort argëtuese, me plot gjetje regjisoriale në ndërtimin e mizanskenave dhe në marrëdhëniet e personazheve, po unë pak mënjanë do ndaj Pakun, mbase pak me hatër pse personalisht e kam fort për zemër këtë karakter, por edhe pse Andia Xhunga e qau me gjithë energjinë që investoi në të. Çupat të mëdha e të vogla ishin të gjitha delikate si zana, meshkujt një tufë gomerësh argëtues, tamam ashtu siç i ka ujdisur Shekspiri në këtë komedi (ma mirëkuptoni "gomerë", se mos kujtoni që luanin trashë, përkundrazi, unë kam qeshur si gomar me ta, çudita sallën). Një shfaqje-ëndërr që s'kish të sharë, madje në fund na kish edhe një Nik Fund që dukej si Shekspiri vetë ;) Kur dola nga shfaqja u përzieva kastile me publikun: "Vepër arti", - tha një. - "Ishte tamam vepër arti". Nuk është gjë e vogël të sjellësh Shekspir në skenë, nuk ua merr mendja sa shumë paragjykohet Sheksipiri (ohu! kush sheh Shekspir tani, të lodh, nuk i merret vesh asnjë fjalë!). E megjithatë salla ishte plot, për të disatën javë rresht, sa unë nuk e mbajta dot dorën të shkruaja një status: "Bravo Durrësi!" Shpresoj që dikush nga Teatri Kombëtar ta marrë mundimin ta shohë shfaqjen dhe t'i propozojë kësaj vajze një vënie në skenën e Teatri Kombëtar me fondet e nevojshme, sepse një shfaqje e punuar me dashuri kaq të madhe, me një skenë më të lartë e me ca më shumë para për kostume e rekuizitë më "luksoze" veç do të rritej e do të zbukurohej, pasi të gjithë e dimë, çiliminjtë nuk rriten veç me dashuri... Sa për mua, jam shumë e lumtur që im bir 7 vjeçar u prezantua me Shekspirin në këtë shfaqje dhe ra në dashuri me të. Sa për ju, ju këshilloj t'i hipni makinës dhe rroftë sebepi, të jetoni jo vetëm një ëndërr të bukur vere, po pse jo edhe një kafe buzë detit pas shfaqjeje, se romanticizmi nuk ka brirë, po pak Shekspir, pak dritë hëne, fllad pranvere dhe gumëzhimë dallgësh...

Comentários