top of page

Drama "Edipi Mbret" nuk na tha të vjetrën, por na mësoi një hile të re...

  • Writer: Anxhela Cikopano
    Anxhela Cikopano
  • Mar 18, 2013
  • 4 min read

Ndonjë prej jush mund të më shajë dhe s'ka faj, kam 10 ditë që kam humbur si sëpata pa bisht, po në fakt sëpatën po kërkoja. Më saktë po kërkoja nëpër kashtë gjilpërat e Jokastës, me të cilat duhet të kish nxjerrë sytë Edipi... E pra, kam 10 ditë që vij vërdallë, duke u përpjekur të gjej se ç'duhet të shkruaj për Edipin Mbret, me regji të Ilir Bokshit, shfaqje kjo me pritshmëri shumë të lartë, madje vende-vende e cilësuar edhe si "shfaqja e vitit". Por mbase është pikërisht pozicioni i "shfaqjes së vitit", që më shtyn të "shfryj" për këtë shfaqje; mbase është faji im për shkak të pritshmërive të larta; mbase në fund ju do të thoni: "epo, lavdërove shfaqje më modeste e po na shan këtë tani", "vetë ke thënë se edhe sikur 60%-70% e mirë të jetë një shfaqje, do e lavdëroj që njerëzit të mos i largohen teatrit", por ajo që më shqetëson thellë në këtë shfaqje është forma kundër përmbajtjes. E para, shqiptarët e njohin Edipin vetëm nga atë që u ka thënë filani, se filania kishte lexuar, që filani kishte shpjeguar se Frojdi na kishte shkruar, që kompleksi i Edipit është që gocat duan baballarët dhe çunat mamatë, ua nuk e dije ti..." (madje me këtë siguri, një parathënie-lexuese 20 vjeçare njëherë tha në Big Brother: "Po, fëmija kur bën kakën përjeton orgazëm si të rriturit, e ka thënë Frojdi, nuk e dini ju?"). Të gjithë hiqen se e njohin dhe e dinë historinë e Edipit, por rrallëkush ia ka haberin. Prandaj nuk u them dot njerëzve, që duhet ta shohin Edipin mbret, sepse edhe unë që e njoh pjesën në majë të gishtave, gjatë shfaqjes e kërkoja atë, nuk më vinte ngjarja, historia, rrëfimi ish i copëzuar, i sforcuar, aktorët nuk kishin veprim boshtor, që t'i udhëhiqte drejt fundit, për të cilin do flas më poshtë se kam boll për të thënë. Të them të drejtën shfaqja dukej bukur, SHUMË BUKUR. Me gjithë rezervat që dëgjova lart e poshtë për kostumet, mua më pëlqyen shumë, edhe "lakuriqësia" më pëlqeu, pse të gënjej, më pëlqeu vërtet. Ndriçimi ishte kryevepër, lëvizja skenike e mirë, por vende-vende e tepruar, sepse e shndërronte shfaqjen në një valle, ia humbte vlerën dramaturgjike pjesës, sikur të kish pasur pak më shumë masë do të ishte e paqortueshme. Gjetja regjisoriale e karaktereve që dilnin nga kori ishte shumë e bukur, vizioni i Tiresias më solli ndër sy vizionin tragjik të Lavinias së Julie Taymor, një vizion për t'u pasur zili. Por unë përpëlitesha të gjeja aktorët, tesktin, tragjedinë e vërtetë, nuk e gjeja, nuk ishte aty... Deri në mes të shfaqjes nuk e kuptoja pse Jokastën e kisha marrë për Korifeun, pastaj zbulova që Jokasta nuk ishte ajo, e pra ishte Korifeu, po pse puthej Edipi me Korifeun? Do ta kisha mirëkuptuar me shumë bujari këtë zgjidhje, nëse do të ishte vënë me ndonjë koncept regjisorial politik dhe Edipi të "bënte dashuriçka" me Korifeun, i cili/e cila më pas manipulon masat popullore sipas kësaj marrëdhënieje, po këtu pse duhej? Apo thjesht sepse dukej bukur? Tani krimi më i madh i shfaqjes është që unë, publiku katunar i Tiranës ose i rretheve, që më ka rënë rruga ose e kam marrë rrugën kastile për të parë shfaqjen, që siç thashë më lart e "njoh" historinë e Edipit nga Frojdi (që nuk e kam lexuar kurrë vetë) hyj në teatër, shoh një Edip që bën monologje duke u vërtitur si fugë (ku me rregull treshi vëmendja shpërqendrohet nga teksti dhe shkon tek lëvizja, e cila mund të ndiqet me lehtë se vargjet e Sofokliut), pastaj më lindin ca dyshime se cila është gruaja e Edipit, shoh një dramë të madhe me bariun dhe bëhem gati të shikoj se çfarë ndodh me këtë njeri në këtë situatë të frikshme (gjithmonë nëse njerëzit kanë arritur ta kuptojnë pjesën në këtë pikë), pra bëhem gati për tragjedinë: ky njeri është zhytur keq në hall, si dreqin do dalë prej aty? Dhe shoh një... më falni, shoh nja dy rreshta "monolog" të Edipit dhe shfaqja mbyllet... Po Edipi që e gjen të vetëvrarë Jokastën, që nxjerr sytë me gjilpërat e saj, që dëbohet nga Teba dhe dënohet të endet i verbër, po kori që na rrëfen se me fatin nuk luhet... po katarsisi që vjen me gjithë këtë, ku janë? Në mos për katarsisin, për çfarë na duhet tragjedia? Për të qenë një dramë? Unë nuk e di se kur do të vijë dita, që regjisorët shqiptarë të kuptojnë se regjia nuk bëhet duke prekur tekstin dramaturgjik. Në keni bythë zonja dhe zotërinj regjisorë merreni një pjesë dratamurgjike të 1 milion viteve më parë dhe vëreni në skenë me koncept të ri, jo duke cunguar a shtrembëruar tekstin sipas leverdisë, nuk është kjo regjisura. Drama "Edipi Mbret" ishte një shfaqje që dukej bukur, ishte e hijshme si një miss, por nuk mundi të na thoshte më shumë se "Dua paqen në botë..." Sa për ovacionet janë lehtësisht të shpjegueshme: një publik që nuk përjeton katarsis, që ngelet në pikën kulmore, diku do ta shfryjë ngarkesën e mbledhur emocionale e në këtë pikë duartrokitja shndërrohet në orgazëm, që çliron ngarkesat emocionale (hile interesante kjo që më përfshiu në vetën e parë). Po ka edhe nga ata që duartrokasin fort, se nuk thonë dot që mbreti është lakuriq, kur gjithë salla e media beson se ai ka veshur rroba të reja... madje edhe kryeministri dora vetë nuk i shpëtoi dot kësaj të fundit...

Comments


Recent Posts
Archive

© 2015  by anxhela

  • w-facebook
bottom of page