Kalvari i "Johan Padanit"
- Anxhela Cikopano
- Feb 23, 2013
- 2 min read
Të vësh një monodramë të Dario Fosë në Tiranë është sfidë e madhe. Së pari të bindësh publikun të vijë të shohë një monodramë nuk është shaka; së dyti ta mbash të shohë Dario Fonë, një njeri me nam për luftën pro-njeriut dhe kundër-institucionit-të-fesë, në një vend që pas izolimit komunist nuk është se ka kulturë fort të zgjeruar mbi zhvillimin e fesë në histori, nuk është një punë që do ta merrte përsipër kushdo. Mua shfaqja më shijoi pa masë, e adhuroj Dario Fonë, Arben Derhemi e qau, erdhi ashtu siç nuk e kishim parë ende: i plotë, i ngrohtë, madje i ndezur do të guxoja të thosha. Regjisori Milto Kutali, veç zgjedhjes së një pjese fine kishte futur bukur e me kandar farmacie elementët e Commedia dell'arte, duke e ëmbëltuar pjesën: dialektet (hedhur si piper nëpër shfaqje), loja me kukullat (oh, sa e bukur ishte loja me kukullat). Ekspozicioni ishte pak i gjatë për një publik të pakultivuar, mbase pjesa e parë duhej mbushur me më shumë elemente vizuale, të ndriçimit, për ta lidhur publikun edhe më pas vetes, për ta aktivizuar në një përvojë gjithëpërfshirëse. Skenografia kishte një zgjidhje interesante dhe funksionale, edhe pse struktura e ndërtuar duhet të ishte më e egër, dukej industriale. Duhej punuar me më shumë përkujdesje ndaj detajeve, si në objektin kryesor, ashtu edhe tek kukullat, dukej sikur kishin mbetur në fazën e gjetjes, si të papërpunuara gjer në fund. Edhe përkthimi i pjesës nuk ishte i duhuri, shpesh mungonte gjuha vepruese, gjë që ia vështirësonte fort punën aktorit. Tani mbase u dukem kshu si nga ata që gjejnë qime në çdo gjellë (çështje zanati kjo, mirë që nuk më shpëtojnë, po nuk rri dot pa i thënë, s'më rri kjo e shkretë gojë...), por shfaqja ishte vërtet SHUMË E MIRË, edhe pse një kalvar i vërtetë për t'u ndjekur. Them kalvar sepse në sallën e Teatrit Kombëtar ishte kaq ftohtë, po kaq ftohtë sa nuk di ta përshkruaj. I dhashë të drejtë dikujt nga publiku që tha: "Unë nuk paguaj më katër mijë lekë biletë, që të vdes nga të ftohtët. Më mirë ngrohtë në shtëpi, shoh ndonjë film shtrirë". Ndaj ju lutem zotërinjve të Teatrit, që kur regjisorët e aktorët marrin guximin dhe stërmundohen të nxjerrin punë të mira nga duart, për respektin e tyre dhe të parave që paguan publiku, të ndezin atë të shkretë ngrohje, se në mos pafshim shfaqje në dimër, kur do shohim, në verë kur teatri është pushim? Nëse nuk e keni parë ende "Johan Padanin dhe Amerikat" duhet përpos të ftohtit të shkoni ta shihni (shpresoj të jetë edhe javën që vjen), sepse shfaqja është fort e hijshme, sepse Dario Fo gjithmonë të mëson diçka dhe sepse Johan Padani i Arben Derhemit nuk është thjesht i shkëlqyer, ishte çudibërës si mrekullitë e Krishtit, se arriti të na lidhte pas vetes, edhe në atë kalvar acari. Priftërinjtë, sot nuk i zë dot me gojë se do të blasfemoja para Dario Fosë, apapapapapa! as ndër mend nuk e çoj...

Comments