top of page

Këtë ua kam borxh komentuesve...

  • Writer: Anxhela Cikopano
    Anxhela Cikopano
  • Feb 21, 2013
  • 3 min read

Se doemos, shtohen ditët, shtohen shkrimet, shtohen edhe komentet... Në fakt do ta filloj për së prapthi, desha në fillim të falënderoja gjithë mbështetësit, por po bëhem pak klishe, po e lë ëmbëlsirën për në fund. Dua së pari t'ju kërkoj ndjesë atyre që nuk ua kam postuar komentet, për shkak se në to ka fyerje personale për persona të caktuar, që përmenden në shkrimet e mia. Unë nuk e kam hapur blogun të shaj dynjanë, as të mbaj pishtarë se cilët shkojnë me kë, derisa ua ka falur Perëndia, t'i përdorin se një jetë kanë, po s'i përdorën tani, kur do i përdorin dhe në fund të fundit, ç'e keqe na vjen nga një çerek ore qejf (se në shkofshin edhe më gjatë hallall e paçin!) Blogu im ka në qendër teatrin, mbase diku edhe tema të letërsisë e përkthimit, aty-këtu edhe fenomene shoqërore, që më shqetësojnë personalisht, por jo për të bërë hesapet e krevateve të dynjasë (madje them se këtë temë e kam shteruar ca shkrime më parë). Kështu që ju lutem, mos shkruani komente të tilla se nuk do t'i postoj... Sa për ato zonja e zotërinj që më kanë sulmuar në vetën e parë rrofshin e bëfshin hair se më kanë shtuar jetën, aq kam qeshur. Herë tjetër, në qofshin trima bëjnë mirë të vënë emër e mbiemër, siç kam shkruar unë Anxhela Çikopano me font 14. Sa unë në këmbë e kam emrin dhe mbiemrin në blog, se gjithë-gjithë aq vij e gjatë. Sa për të më gjykuar mua personalisht ka vetëm 2 le-t'i-quajmë-persona që mund ta bëjnë këtë: 1. në planin moral e njerëzor më gjykon veç Zoti; 2. në planin profesional mund të hyjnë në kategorinë e gjykuesve vetëm ata që kanë lexuar gjer më sot, të paktën 1 (po sikur 1) libër më shumë se unë dhe pasi ta kalojnë këtë prag, fillon pragu i dytë, ai që të jenë të zotët të flasin me argumente, pastaj jalla të mbërrijnë të flasin me mua. Megjithatë fjala është e lirë, mund të vazhdoni të shkruani, vetëm se kësaj kategorisë së sulmit të drejtpërdrejtë me goditje të ulëta i lutem, që nëse nuk e ka forcën e argumentit, se helbete, jo të gjithë i bekon Perëndia, të paktën para se ta postojnë komentin ta kalojnë një herë në programin, që kontrollon gramatikën shqipe, se e ka futur Microsoft Office falas, se më veshët sytë, jeni të palexueshëm nga niveli gramatikor e drejtshkrimor (megjithëse nuk habitem hiç kur lexoj se ç'shkruani). Në fund të fundit, nëse nuk ju pëlqen blogu im, lart në të majtë ekranit ka një link që shkruan "Next Blog" ose lart në skajin e djathtë të ekranit ka një kryq të vogël, që e mbyll fare faqen. Është procedurë shumë e thjeshtë dhe e shpejtë, se e kam nga përvoja kur fshi komentet tuaja ;) Sa për ata që më kanë mbështetur, që më nxisin dhe më kritikojnë nuk... nuk i gjej dot fjalët t'ju falenderoj... kurrë nuk më është dukur shqipja kaq e varfër (dhe të mendosh që unë shqipes i bëj zbor). Nuk mund veçse t'ju përulem me modesti të skajshme dhe t'ju premtoj se nëse për 1001 arsye ju nuk flisni dot, e pra, unë mundem dhe do ta bëj... për ju, për vete, për të gjithë ne...


Priftërinjtë lerini rehat sonte, se qenka shumë ftohtë, nuk kanë vakt të vijnë të dëgjojnë rrëfimet e atyre që u kam fshirë komentet. Pret puna gjer në mëngjes...


Comments


Recent Posts
Archive

© 2015  by anxhela

  • w-facebook
bottom of page