top of page

"Sikur kjo të ishte shfaqje" do ta kishte duartrokitur edhe Brehti vetë!!!!!

  • Writer: Anxhela Cikopano
    Anxhela Cikopano
  • Feb 18, 2013
  • 2 min read

Hej, si jeni? Kam ca ditë pa shkruar po kam qenë pak rëndë, nën efekt qetësuesish, hoqa një dhëmballë, sikur polla 7 kalamaj, punë dreqi... Megjithatë "Sikur kjo të ishte shfaqje" nuk e humba dhe sa mirë bëra që nuk e humba!!!! "Sikur kjo të ishte shfaqje" me regji të Agon Myftarit në fillim dukej e vërtetë dhe naive si një etyd studentësh shijehollë (aktorët, se nuk mund të them rolet ishin të shkëlqyer), shumë argëtuese, tmerrësisht argëtuese, një shfaqje me katër të rinj, që luanin në skenë e besonin si fëmijë në një lojë sylla-mbylla. Në fillim shfaqja dukej si një vënie e alla-kohës së Shekspirit, ku çfarëdolloj objekti është konvencional deri në skaj, mjafton që aktori të çlirojë fantazinë e ta nxisë edhe publikun ta bëjë këtë. Befas në një çast në shfaqje hyri një mini-monolog, që u duk sikur e krisi gjithë atë argëtim, gjer pranë fundit, kur do ta lidhte si nyjë të tërë rrëfimin. Shfaqja duket sikur ka në qendër një ngjarje banale, rrëfyer nga ata që e kanë përjetuar në vetën e parë dhe nga ata që çoç kanë dëgjuar për të. E njëjta ngjarje u ritregua dhjetra herë, në pikëvështrime të ndryshme (unë qesha si idjote me interpretimin alla-Kanun), madje ne filluam të prisnim se cili do të ishte rrëfimtari i radhës... Teksa qeshnim, fundi u afrua dhe shfaqja na provoi atë të vërtetë të madhe, që qarkullon nëpër korridoret e teatrove si teori librash: komiken e tragjiken i ndan veç një fill i hollë sa një fije floku. E pra, kishim parë një shfaqje ku u shqyem së qeshuri, pa e kuptuar as edhe një çast se lotët e të qeshurës, në fund do të ktheheshin në lotët e dhimbshëm të së vërtetës... Aty m'u kujtua Xhaxha Brehti: "Ai që qesh, thjesht nuk e ka marrë ende lajmin e tmerrshëm..." Kishim parë një shfaqje "mashtruese", që nuk përdorte mjetet e Shekspirit, por udhëhiqej kokë e këmbë nga Brehti: një teatër i varfër, pa mur të katërt, me projektime vizuale, pa kostume, skenografi e rekuizitë, një teatër në dukje ashtu popullor, që pas tij fsheh të vërteta të mëdha shoqërore e politike: kush ka veshë le të dëgjojë... Nuk di të them nëse merita i takonte regjisë apo aktorëve, mbase nga mënyra si e kishin ndërtuar shfaqjen, regjia dhe aktrimi ishin kokolepsur keq e zor se kishte thikë të ndante më merita të veçanta, di vetëm që kjo shfaqje vlen sa një semester i tërë studimesh teatri. Ju kërkoj ndjesë të gjithë atyre që duan të dinë më shumë detaje për shfaqjen, por do të ishte mëkat t'ua rrëfeja. Kur shfaqja të vijë sërish në Tiranë do t'ju njoftoj, sepse është një përvojë që duhet jetuar në vetën e parë, çdo rrëfim do ta prishte. Sinqerisht, një shfaqje që do ta kishte duartrokitur edhe Brehti vetë! Meqenëse jemi tek Xhaxha Brehti, ky zotëria i kishte fort zët priftërinjtë...


Comments


Recent Posts
Archive

© 2015  by anxhela

  • w-facebook
bottom of page