Po t'i thosha Tarantino shqiptar do t'ia haja hakun...
- Anxhela Cikopano
- Feb 7, 2013
- 2 min read
"Dorëzimi" me regji të Genti Bejkos ishte një shfaqje mbresëlënëse dhe këtë nuk e luan topi! Në fillim m'u krijua përshtypja se shfaqja ishte në stilin e Tarantinos ose të Guy Ritchie, po të them të drejtën kishte kaq shumë elemente origjinale të regjisorit dhe aktorëve, sa do t'iu hyja në hak po t'ua zvogëloja diapazonin e gjetjeve dhe të punës së shkëlqyer. Pjesa është një komedi e zezë, që nuk të bën thjesht për të qeshur, por zhytet e zhytet tek ca personazhe të pazakontë, që zbulohen rrugës dhe na dalin njëri më psikopat se tjetri. Kur në skenë "shpërfaqet" edhe mamaja e Zotit Karmajkëll (falë lojës së shkëlqyer të të gjithë aktorëve) seç të kërcen në kokë një ide, që prit more, se ky më i ligu paska qenë më i miri në këtë tufë monstrash... Padyshim "Dorëzimi" është një shfaqje që nuk duhet humbur, plot me mizanskena organike, me hyrje-dalje aspak konvencionale, që e bëjnë historinë të shkasë vaj; me gjetje muzikore që jo vetëm rrinë pas lëkure, por duket sikur personazhet do të ishin çyryk pa këto (sidomos detaji në përfundimin e monologut të Mër--vinit). Seksualiteti që shpërfaq Merilini është fin dhe i rri si kripë shfaqjes; karakteri i Tobit ka disa linja, është më pak unik se të tjerët, po padyshim të vdes së qeshuri, ndaj shyqyr që është ashtu. Mër--vini duket ca si i shkarë në fillim me pyetjet e tij pa vend, por një monolog i interpretuar me shumë mjeshtëri, na i thotë të gjitha, sa fillon edhe ta duash këtë dreq budallai. Për rolin kryesor, Zotin Karmajkëll po hap një paragraf të ri sepse me thjeshtësinë më të madhe më duhet të pranoj që ma futi llapën mren! Nuk e kisha pritur kurrë një karakter të ndërtuar aq mirë nga aktori, me një personalitet gjithë luhatje psikologjike, me një impostim e natyrshmëri të pagjasë, një rol për të cilin nuk mund të kem veçse superlativa. E pra, "Dorëzimi" i Gent Bejkos (dhe i trupës aq të zgjedhur të aktorëve) ishte një shfaqje që çar të hash! Ose për ta pirë në kupë! Zgjidhni e merrni se ka për të gjithë, vetëm mos e humbni, se do të bënit mëkat dhe... prifti pastaj ;)

Commentaires