Të shkruaj a të mos shkruaj...
- Anxhela Cikopano
- Feb 5, 2013
- 3 min read
Të them të drejtën jam zhytur në një dilemë të thellë: t'i bi a mos t'i bi... Po, po, për atë e kam fjalën, "14 vjeç dhëndërr" nga Elma Doresi, për "shfaqjen" që shiti bileta pa fund. Them "shfaqjen" se gjëja ishte një vënie kaq mjerane, sa do t'ua kisha ndaluar ta shihnin studentëve të vitit të parë e të dytë regji, madje edhe të tretit, nga frika mos nga shitja e lartë e biletave u merrte koka erë e na e katandisnin teatrin në derexhenë e kësaj shfaqjeje. Të them të drejtën, hyra në sallë shumë pozitive, madje edhe qesha andej nga fillimi, isha kaq pozitive sa kisha marrë edhe djalin me vete. Epo ua fala atë fillimin e ngarkuar seksualisht, se sado me djalin, puritane nuk bëhem dot, po do ti që s'kish të sosur kjo mesele, të tërë në shfaqje marifetit i vinin rrotull, daç nga burrat (veçanërisht burrat), daç nga gratë, por kjo tendencë nuk vazhdoi gjatë: u mbyll aty nga 2.5 minutat e fundit të një shfaqjeje që zgjati më shumë se 1 orë e 45 minuta (edhe një film i Guy Ritchie nuk durohet kaq gjatë...) Marigoja nuk di ç'bënte në skenë, as pse, as qysh e as s'di ç'thoshte, se një copë herë të mirë nuk dëgjohej fare: shkurt i kish rënë rruga më duket nga shfaqja, se me shfaqjen nuk kishte pikën e lidhjes. "Shfaqja" nëpër të kishte etyde të mira, madje edhe ca momente muzikore, po të një shfaqjeje tjetër se jo për gjë, po regjisorin mbi të gjitha një gjë e dallon nga të tjerët: ritmi. Ndërsa "shfaqja" ja shpirt e dil, derisa më në fund mbërriti tek pika e dasmës. Aktoret përgjithësisht kishin krijuar karaktere më të kompletuara se aktorët (përjashtoj këtu Marigonë) dhe s'mund të lë pa lëvduar karakteret e Tanës, Kotes, Trimit dhe Abazit (megjithëse nuk e kuptova kurrë pse një grua aq e fortë sa Tana, duhet të ishte aq e brishtë në fillim, por hakun s'ia ha dot aman). Gjinon të them të drejtën s'e mora vesh ç'ishte: Bir kurve? Vogëlush? Pallë leveresh? Nga cila krahinë vinte me atë si dialekt të nakatosur Lushnje? Po Vani i "Pallatit 176" ç'lidhje kishte me Çajupin? Binin komshinj nga kushëriri i tretë? Karakteri i Gjinos ishte një çoroditje totale, që përpiqej të të bënte për të qeshur, por kur u bë bashkë me Marigonë na zhyti në një pikëllim të thellë. Siç ju thashë, pika kulmore nuk mbërrinte kurrë, barqe dhe gropa më keq se rruga Pogradec-Lin. Edhe struktura dramaturgjike kishte probleme të rënda, një çorap mes dramës, filmit, me etyde që nuk thoshin asgjë, përveç faktit që i kishin mbajtur se u kishin pëlqyer gjatë provave. Elementet skenografike me bobina filmi ishin si rrota e Pirro Manit, një Zot e di pse ishin aty, blitz-i i grindjeve në një pikë u bë qëllim në vetvete, por kulmi mbërriti me mbylljen deus ex machina (për ata që s'e dinë, regjisori sajon një budallallëk të shpëtojë bythën, që në këtë rast na doli se kish qenë e gjitha një ëndërr), që ua vuri vulën të gjithave. Sikur ta kisha parë shfaqjen që në premierë, nuk do të kisha pasur dyshime për të shkruar ç'shkrova, por e pashë relativisht vonë dhe varja, ç'ish bërë, ish bërë; kush e kishte ngrënë, e kishte ngrënë. Por kur lexova që kjo palo "shfaqje" kish marrë 3 çmime të para në Gjilan, mes të cilave "Regjisorja e realitetit të ri teatror", nuk e mbajta dot më tastierën e mausin. Në qoftë kështu realiteti i ri teatror në Tiranë e në Shqipëri, në qofshin këta kolegët e mi të nderuar, unë po marr arratinë që tani nga ky vend që nderon paçavuret, duke murmuritur dy vargje të përditësuara në nder të Konicës: Shqipëri të kam dhjerë Se s'do bëhesh asnjëherë

P.S. Nëse dikush është shqetësuar nga sa më sipër e di vetë: PRIFTIN!!!
Commentaires